Vetëm 1 pikë ndan Lando Norrisin nga Oskar Piastri në renditjen e përgjithshme në prag të Çmimit të Madh të Brazilit, një garë që shumë e konsiderojnë si pikën kyçe të luftës për titull.
Piloti britanik i MekLarenit ka rimarrë kryesimin e klasifikimit me 357 pikë kundrejt 356 të australianit, falë fitores madhështore në Çmimin e Madh të Meksikës dy javë më parë. Jo vetëm kaq, por kemi edhe në duel mes Ferrarit dhe Mercedesit për vendin e dytë në renditjen e konstruktorëve, ku edhe aty diferenca është vetëm 1 pikë pas garës së 20-të të sezonit në Meksiko Siti, me “të kuqtë” që kanë kaluar sërish rivalët: 356 pikë kundrejt 355.
Një rastësi e veçantë, që reflekton të njëjtin hendek minimal si në garën për titullin mes Norrisit dhe Piastrit. Dhe në të dyja rastet, në mes është edhe faktori “Red Bull”. Në kampionatin e pilotëve, Maks Vershtapen duket se ka shansin e fundit në Sao Paulo për të qëndruar “i lidhur” pas trenit MekLaren. Me 36 pikë prapa kreut, piloti holandez duhet të lërë pas të dy rivalët dhe në thelb të fitojë Çmimin e Madh të Brazilit për të mbajtur gjallë shpresat për titull.
Ndërkohë, në renditjen e konstruktorëve është vetë Red Bulli që ndjek Ferrarin me vetëm 9 pikë diferencë (346 kundrejt 355).
Sa i përket të kaluarës së afërt, Çmimi i Madh i Brazilit, pas anulimit të edicionit 2020 për shkak të COVID-it, i ka buzëqeshur Vershtapenit te pilotët dhe dysheve Red Bull–Mercedes për konstruktorët. Katër herë kampioni i botës ka kaluar i pari vijën e finishit tre herë ( në 2019-ën dhe në dy vitet e fundit), si edhe ka fituar garën Sprint në vitin 2023. Në fakt, Red Bulli dhe Mercedesi kanë dominuar në 13 nga 15 edicionet e fundit të garës, me vetëm një fitore të Ferrarit, atë të Sebastian Fetelit në vitin tashmë të largët 2017. Ndërsa fitorja e fundit nga MekLaren në Brazil daton plot 12 vite më parë, me Xhenson Baton.
The post Formula 1, nis nga zero dueli për pikë dhe titullin kampion appeared first on Alsat.

