Në Qendrën klinike “Nëna Terezë” në Shkup, mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë një foshnje 14-muajshe, që sipas raportimeve të para, prindërit kanë akuzuar stafin mjekësor për neglizhencë të rastit. Në lidhje me këtë, ka reaguar Ministria e Shëndetësisë, që siç tha, për të vërtetuar se ka pasur lëshime në mjekim, mbikëqyrja do të bëhet në prani të personave përgjegjës të objekteve shëndetësore si dhe mjekëve që kanë marrë pjesë në ofrimin e mëparshëm të kujdesit shëndetësor.
Tutje, Ministria e Shëndetësisë tha se, do të iniciojnë edhe një komision për mbikëqyrje profesionale në të dy institucionet shëndetësore.
“Në lidhje me rastin e foshnjës së ndjerë 14 muajshe, e sjellë herët në mëngjesin e sotëm në Klinikën për sëmundje të fëmijëve, nga Klinika informojnë se ai është shtruar në spital me infeksion të rëndë respirator, gjendje të rëndë të përgjithshme dhe funksione të dëmtuara vitale.
Ka pasur një përkeqësim të shpejtë të gjendjes dhe me vështirësi në frymëmarrje. Trupi i foshnjës është dërguar për obduksion, pas së cilës do të përcaktohet shkaku i vdekjes.
Inspektorati sanitar dhe shëndetësor, në përputhje me kompetencat e veta, do të kryejë kontroll të jashtëzakonshëm në objektet shëndetësore ku më parë është trajtuar foshnja e ndjerë, përkatësisht: ISHP Klinika Universitare për sëmundje të frymëmarrjes te fëmijët në Kozle, ku ishte trajtuar më parë dhe në Klinikën për sëmundje të fëmijëve, ku ishte shtruar dhe ndërroi jetë sot në orët e para të mëngjesit.
Për të konstatuar të vërtetën për lëshimet e mundshme në mjekim, mbikëqyrja do të bëhet në prani të personave përgjegjës të objekteve shëndetësore si dhe mjekëve që kanë marrë pjesë në ofrimin e mëparshëm të kujdesit shëndetësor. Në lidhje me këtë rast, Ministria e Shëndetësisë do të iniciojë edhe një komision për mbikëqyrje profesionale në të dy institucionet shëndetësore. Ministria e Shëndetësisë i shpreh ngushëllimet familjes dhe të afërmve për këtë humbje”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

