Foshnja lind në autoambulancë rrugës për në spitalin e Shkupit

Në orët e hershme të mëngjesit, rrugës për në një spital në Shkup, një vajzë e porsalindur erdhi në jetë brenda një autoambulance. Lindja e pazakontë ndodhi gjatë lëvizjes, vetëm pak minuta pas mesnate, dhe ekipi mjekësor e realizoi procesin me sukses, siguri dhe profesionalizëm.

Dr. Daniel Kirovski, pjesë e ekipit, ndau përvojën në rrjetet sociale, duke theksuar se vajza ka lindur e shëndetshme dhe e fortë, ndërsa nëna ndjehet mirë.

“Një zemër e re regjistroi rrahjet e para – në rrugë, në një autoambulancë, në mes të natës,” shkroi dr. Kirovski. “Në çaste kur koha bëhet kritike, kur nuk ka vend për hezitim – jeta e gjen rrugën e saj.”

Ai theksoi se lindja ndodhi pa sallë lindjeje, por me përkushtim të plotë dhe koordinim të ekipit, duke e dëshmuar edhe një herë rëndësinë e ndihmës së shpejtë mjekësore në momentet vendimtare.

Nëna dhe foshnja janë në gjendje të qëndrueshme dhe të mirë shëndetësore.