Reshjet e dendura të shiut që prekën pjesën më të madhe të Bosnjë-Hercegovinës gjatë natës shkaktuan përmbytje në disa qytete. Rrugët dhe objektet e banimit janë vërshuar në Jabllanicë, Kiseljak, Kreshevë, Busovacë dhe Fojnicë.

Sipas informacioneve që marr nga terreni, rreth 20 persona janë zhdukur në përmbytjet katastrofike që goditën Jabllanicën, tha për “Avaz” ministri i Mbrojtjes i BiH, Zukan Helez.

Ai ka theksuar se këto janë informacione jozyrtare nga terreni.

– Por numri i viktimave, për fat të keq, po rritet – thotë Helez.

Sipas informacioneve të “Avaza”, të paktën 15 persona kanë humbur jetën në këto përmbytje dhe rrëshqitje katastrofike në Hercegovinë.

Deri më tani ky është informacion jozyrtar pasi që institucionet ende nuk kanë dhënë detaje nga pasojat e përmbytjeve.