Fotoaparate, turbinë, pllaka qeramike…Dogana me njoftim rreth konfiskimeve që ka bërë në 2 javët e fundit

Gjatë dy javëve të fundit, ekipet mobile të Drejtorisë së Doganës kanë zbuluar disa raste të tentativave për kontrabandime të ndryshme, duke përfshirë aparate fotografikë, pajisje elektronike për pagesë të rrugës, cigare, drogë, pjesë automjeti, pllaka qeramike, veshje dhe mallra të falsifikuara.

“Janë sekuestruar dy aparate fotografikë të përdorura SONY dhe CANON me lente 50 mm, të fshehura në një autobus që udhëtonte në linjën Bruksel-Shkup dhe ishte i regjistruar për hyrje në vend në pikën kufitare Tabanoc. Vlera e aparateve është 87.300 denarë, ndërsa taksat e shmangura arrijnë në 20.864 denarë”, njofton Dogana.

Në një rast tjetër, gjatë kontrollit të mallrave me origjinë nga Kina për një kompani nga Shkupi, u gjetën 662,4 metra katrorë pllaka qeramike që nuk ishin të përfshira në dokumentacionin doganor.

Një pikap i ndaluar pranë pikës kufitare Bllacë kishte në pjesën e ngarkesës 20 pjesë të përdorura për BMW X5, përfshirë kapak motorri, parakolp, amortizatorë dhe drita.

Gjithashtu, një autobus me targa turke u ndalua në rampën e pagesës në Petrovec dhe u dërgua për kontroll të detajuar në Doganën Shkup 4, ku u zbulua se brenda kompresorit të kondicionerit kishte hapësirë të modifikuar për kontrabandim.

Në një kontroll personal në pikën kufitare Tabanoc, një pasagjere kishte fshehur 2 gramë kokainë.

“Janë sekuestruar gjithashtu 1.632 lodra me marka të mbrojtura tregtare, 39 copë veshje dhe 3 çanta femrash, si dhe 11 kuti cigare pa akcizë,” thekson Dogana.

Në pikën kufitare Novo Sellë u zbuluan 45 pajisje M-TAG për pagesën e rrugës dhe një turbinë BorgWarner, ndërsa në Bogorodicë u gjetën 240 palë këpucë dhe 59 xhupë meshkujsh të pa deklaruara.

Në pikën kufitare Dojran, doganierët zbuluan 134 produkte tekstili dhe 232 pjesë bizhuterie, ndërsa në Tabanoc 57 copë veshje në dy çanta udhëtimi.

Të gjitha mallrat e sekuestruara janë të mbajtura nga Dogana dhe po vazhdojnë procedurat për zbardhjen e rasteve dhe vendosjen e masave ligjore për personat e përfshirë.