Forcat ajrore franceze dhe britanike kanë zhvilluar për herë të parë një stërvitje të përbashkët që simulon një sulm bërthamor, njoftuan të premten ministritë e Mbrojtjes të të dyja shteteve.

Stërvitja, me emrin e koduar “Rummy”, u zhvillua të martën dhe përfshiu aeroplanë luftarakë Typhoon të Forcave Ajrore Mbretërore britanike, së bashku me aeroplanët francezë Rafale, mbi Detin Mesdhe, u tha në njoftim.

Sipas dy shteteve, stërvitja u zhvillua në përputhje me procedurat e sigurisë, nuk përfshiu armë të vërteta bërthamore dhe kishte për qëllim forcimin e koordinimit mes dy fuqive bërthamore të Evropës Perëndimore.

Pas ngritjes nga një bazë në verilindje të Francës, “aeroplanët francezë Rafale, të shoqëruar nga britanikë Typhoon, zhvilluan një simulim të një sulmi bërthamor”, u tha në njoftim.

Stërvitja u zhvillua në një kohë kur tensionet mes vendeve të NATO-s dhe Rusisë, e cila posedon armë bërthamore, mbeten të larta, rreth katër vjet e gjysmë pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka ofruar që mbrojtja nga fuqia parandaluese bërthamore e Francës të shtrihet edhe tek aleatët e tjerë evropianë. Franca është e vetmja fuqi bërthamore në Bashkimin Evropian që nga Brexit-i.

Ministrja franceze e Mbrojtjes, Catherine Vautrin, theksoi se “zotërimi i forcave të pavarura bërthamore nuk e përjashton koordinimin”.

Ajo shtoi se stërvitja e përbashkët me Britaninë tregoi se “forcat tona bërthamore dëshmojnë se mund të kontribuojnë edhe më shumë në sigurinë e përgjithshme” të NATO-s.

Në versionin në gjuhën frënge të deklaratës së përbashkët, ministri britanik i Mbrojtjes, Wes Streeting, e cilësoi stërvitjen si një “kapitull të ri” në marrëdhëniet mes Britanisë dhe Francës në fushën e mbrojtjes bërthamore.

“Kjo stërvitje dëshmon thellësinë e partneritetit tonë, besueshmërinë e kapaciteteve tona parandaluese dhe vendosmërinë tonë për të qëndruar të bashkuar përballë kërcënimeve”, tha ai.

Në një postim në llogarinë e tij në X, Streeting shtoi se ky është “një hap historik në bashkëpunimin e mbrojtjes mes Britanisë dhe Francës dhe një sinjal i qartë se qëndrojmë krah për krah me aleatët tanë për sigurinë evropiane dhe një kapacitet parandalues të besueshëm”.