Franca e ka quajtur marrëveshjen kornizë tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian si “ditë e errët” për Evropën, duke shtuar se blloku i është nënshtruar presidentit amerikan Donald Trump me një marrëveshje të pabalancuar, raporton agjencia “Reuters”. 

Sipas marrëveshjes SHBA-ja do të vendosë tarifë prej 15 për qind mbi mallrat e BE-së, ndërsa BE-ja do t’i kursejë importet e SHBA-së nga çdo hakmarrje e menjëhershme. 

Kryeministri francez Francois Bayrou ka shpërthyer me kritika. 

“Është një ditë e errët kur një aleancë e popujve të lirë, të bashkuar për t’i afirmuar vlerat e tyre të përbashkëta dhe për t’i mbrojtur interesat e tyre të përbashkët, i dorëzohet nënshtrimit”, shkroi Bayrou në platformën “X”.