Marka legjendare MTV po mbyll faqen muzikore të historisë së saj – kompania “Paramount Global” njoftoi se deri më 31 dhjetor 2025, do të mbyllë pesë kanale muzikore në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandën e Veriut: MTV Music, MTV 80s, MTV 90s, Club MTV dhe MTV Live.

Vendimi, siç thotë kompania, është rezultat i ndryshimit dramatik në mënyrën se si konsumohet muzika – sot publiku dëgjon nëpërmjet  YouTube, Spotify  dhe rrjeteve sociale, ndërsa televizioni linear po humbet rëndësi.

Kanali kryesor i MTV-së do të vazhdojë të funksionojë, por fokusi do të jetë te reality show-t, serialet dhe formatet e argëtimit, në vend të muzikës – ajo që e bëri MTV-në një simbol të dallueshëm të një brezi të tërë.

MTV kishte qenë i pranishëm në tregun britanik që nga viti 1987, dhe kanalet e mbyllura, të lançuara në vitet 1990 dhe 2000, ofruan retrospektiva të muzikës nga vitet ’80 dhe ’90, top lista, koncerte dhe sete DJ nga klube anembanë Evropës. Me këtë vendim, një kapitull i artë në historinë e televizionit muzikor përfundon simbolikisht dhe MTV po kalon përfundimisht nga një ikonë e muzikës kult në epokën dixhitale të argëtimit “sipas kërkesës”.

The post Fundi i një epoke: MTV kapitullon para YouTube dhe Spotify appeared first on Alsat.