Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, gjatë vizitës në Uashington, pati takime me drejtuesit e Institutit Kombëtar Demokratik (NDI), Tamara Wittes, dhe Scott Bates, si dhe me drejtuesit e Institutit Ndërkombëtar Republikan (IRI), Daniel Twining dhe Stephen Nix. U diskutua për forcimin e bashkëpunimit dhe mbështetjen e projekteve që ndihmojnë zhvillimin e Kuvendit, rritjen e transparencës dhe digjitalizimin.

Gashi vlerësoi rolin e NDI-së dhe IRI-së në promovimin e demokracisë dhe theksoi rëndësinë e vazhdimit të partneritetit për të përmirësuar funksionimin e institucioneve dhe përfaqësimin e qytetarëve.

“Vlerat që promovon NDI janë thelbësore për forcimin e demokracisë institucionale dhe dialogut politik. Shpreh mirënjohje dhe gatishmëri për vazhdimin e këtij partneriteti në shërbim të përfaqësimit më të mirë të qytetarëve. Kontributi i IRI-it në zhvillimin e kulturës politike përmes programeve të ndryshme është i çmuar. Ky partneritet ka rol të rëndësishëm në zhvillimin institucional dhe bashkëpunimin ndërkombëtar”, tha Gashi.