Kryeparlamentari Afrim Gashi këmbëngul që në të ardhmen të mos dërgohen propozim ligje në Kuvend me procedurë të shkurtër. Duke e komentuar raportin e Komisionit europian për përparimin e vendit, ai tha se sa i përket punës së Kuvendit, është notuar se tashmë nuk ka keqpërdorime të flamurit europian por se shpesh është përdorur procedura e shkurtër. Gashi foli edhe për pjesën për të cilën Brukseli thotë se ndryshimet kushtetuese janë kusht për hapjen e kapitujve. Sipas tij, që të arrihet kjo, nevojitet vullnet politik, duke shtuar se ai nuk do ta fillojë procesin e ndryshimeve kushtetuese në Kuvend nëse nuk është i sigurt për rezultatin.

Nga ana tjetër, opozita mendon se pushteti po taktizon me procesin e ndryshimeve kushtetuese për shkak të zgjedhjeve lokale. Deputeti i LSDM-së, Fatmir Bytyqi në Daily Click në TV21 tha se pret ndryshime kushtetuese, por në dhjetor të viti 2025, edhe pse paraprakisht ministri nga radhët e VLEN, Arben Taravari shprehu optimizëm se ndryshimet kushtetuese mund të jenë fakt deri në fund të vitit.

Ministri Taravari kohë më parë theksoi se nëse nuk ndryshohet Kushtetuta deri në zgjedhjet lokale, kjo mund të ketë ndikim negativ në rezultatin e VLEN-it në zgjedhjet lokale.