Biznesmeni dhe filantropisti amerikan, Bill Gates, ka paralajmëruar për rreziqet që sjell inteligjenca artificiale, duke thënë se ndikimi i saj në vendet e punës dhe në jetën e njerëzve duhet të trajtohet si prioritet global.
Në një intervistë për “New York Times”, Gates tha se IA mund të shkaktojë pasoja të mëdha në tregun e punës dhe se ndikimi i saj mund të jetë më afatgjatë sesa një cikël i zakonshëm ekonomik.
Sipas tij, industria e teknologjisë po i minimizon publikisht këto rreziqe, ndërsa privatisht shumë prej njerëzve që e kuptojnë ritmin e zhvillimit të IA-së janë të shqetësuar.
Gates theksoi se interesat financiare dhe miliardat e dollarëve që po investohen në këtë sektor bëjnë që shumë prej tyre të mos flasin hapur për rreziqet.
