Gazetarja bullgare Kitanova ka kritikuar ashpër riformatimin e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, duke pretenduar se kryeministri Hristijan Mickoski ka avancuar në kabinetin qeveritar Ivan Stojilkoviqin, të cilin ajo e cilëson si “agjent serb”.

Sipas artikullit të publikuar nga Vestimak.mk, Stojilkoviq, zëvendëskryeministër për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive dhe lider i Partisë së Serbëve në Maqedoninë e Veriut, pritet të marrë një resor të ri ministror në kabinetin e riformatuar.

Në shkrim pretendohet se ky është një tjetër sukses për projektin e ashtuquajtur “Srpski Svet” (Bota Serbe) dhe një zhvillim që e largon vendin nga rruga drejt Bashkimit Evropian.

Autorja thekson se, sipas saj, Stojilkoviq nuk ka zhvilluar takime me përfaqësuesit e komunitetit bullgar në Maqedoninë e Veriut, ndonëse çështja e përfshirjes së bullgarëve në Kushtetutë mbetet një nga kushtet kyçe në procesin e integrimit evropian të vendit.

Në artikull përmendet gjithashtu se, sipas të dhënave të cituara, në Maqedoninë e Veriut jetojnë rreth 200 mijë qytetarë që posedojnë pasaporta bullgare.

Shënim: Pretendimet e mësipërme janë qëndrime të autores së artikullit dhe të mediumit që e ka publikuar, ndërsa nuk paraqesin fakte të konfirmuara nga autoritetet.