Gazmend Ajdini: “20 dhjetori si pikë kthese, ose reformë e brendshme, ose rënie në irrelevancë! Testi i madh i BDI-së”

Gazmend Ajdini në një status në rrjetin social Facebook, ka shkruar rreth mbajtjes së kongresit të BDI-së më 20 dhjetor. Ajdini në statusin e tij thekson se 20 dhjetori nuk është një kryesi apo një listë funksionesh, por siç shton trajaktorja e partisë për vitet që vijnë. Tutje Ajdini potencon se nëse Ali Ahmeti e ndërton këtë tranzicion me mençuri dhe maturi BDI do të dalë më e fortë dhe më e besueshme. Tutje Ajdini thotë se kongresi i 20 dhjetori është test i madh i BDI-së.

Statusi i plotë i Gazemend Ajdinit

REFORMA – PSE (JO) PO?

R – Rrugëtimi drejt Kongresit të 20 Dhjetorit e gjen BDI-në në një moment kur reforma s’mund të jetë më retorikë e konsumuar. Nuk mund të mbetet slogan, duhet të jetë qëllim “per se”, një domosdoshmëri politike. Pas një cikli të gjatë pushteti dhe kompromisesh të brendshme, partia përballet me nevojën për ta rivendosur raportin e saj me realitetin politik dhe me pritshmëritë e elektoratit shqiptar. Reforma fillon nga brenda: nga mënyra si merret vendimi, si përfaqësohet anëtarësia dhe si matet përgjegjësia e çdo funksionari.

E – Esenca e reformës nuk qëndron në ndryshime kozmetike, por në riformatim të mënyrës së të menduarit dhe të vepruarit politik. Një statut që përkufizon mandatet, ndan qartë kompetencat por edhe, mbi të gjitha, përgjegjësitë , forcon rolin e liderit, por edhe të organeve partiake me peshë reale politike, duke vendosur njëkohësisht mekanizma të brendshëm kontrolli. Pa ndryshim të arkitekturës së pushtetit brenda partisë, s’ka reformë: ka vetëm rotacion figurash.

F – Forca e përfaqësimit të denjë matet me aftësinë për të prodhuar rezultate konkrete për qytetarët, jo me ruajtjen e balancave të brendshme. BDI ka përgjegjësinë ta rikthejë kuptimin e përfaqësimit si shërbim publik, jo si mekanizëm pushteti – duke ndërtuar besim përmes profesionalitetit dhe meritokracisë. Filtri i kandidimeve duhet të jetë prova kryesore e Kongresit: “primare të brendshme” ose garë e hapur, kritere të shpallura publikisht dhe “due diligence” (vetting) për çdo kandidat – pasuri, konflikt interesi, integritet dhe performancë. Kandidimi s’duhet të jetë shpërblim për lojalitet, por mandat për punë dhe rezultate.

O – Obligimi historik i lidershipit, veçanërisht i Ali Ahmetit, është të hapë rrugë të reja pa e shkëputur kontinuitetin politik. Nelson Mandela e formulonte qartë këtë përgjegjësi: “A leader is one who knows the way, goes the way, and shows the way.” Reforma kërkon guxim për ta udhëhequr ndryshimin, jo për ta vonuar atë. Prandaj, standardet etike duhet të jenë të panegociueshme: kod etik me sanksione, komision disiplinor funksional dhe rregulla të qarta kundër joprofesionalizmit, nepotizmit dhe klientelizmit.

R – Rikthimi i besimit të elektoratit nuk arrihet me mbrojtje të së shkuarës, por me vizion për të ardhmen. Elektorati shqiptar kërkon ndryshim të dukshëm, të matshëm dhe të besueshëm, në njerëz, në politika dhe në standarde, si në jetën e brendshme të partisë, ashtu edhe në realizimin e aspiratave të tij shtetformuese. Rikthimi i besimit kërkon llogaridhënie të dyfishtë: para liderit dhe strukturave, por edhe para elektoratit. Në opozitë, standardi nis nga vetja- sepse pa prova, fjalët mbeten vetëm narrativë.

M – Mesazhi i Kongresit duhet të jetë i qartë: BDI e pranon se ka pasur edhe gabime dhe hap një kapitull të ri me disiplinë rigoroze politike. Kjo kërkon distancim nga emrat dhe modelet që e kanë rënduar imazhin, krijim të një ekipi të ri drejtues me përgjegjësi konkrete e të deleguara, si dhe një plan me prioritete dhe afate të qarta. Pa mekanizma llogaridhënieje dhe rezultate konkrete, çdo reformë mbetet deklarative.

A – Alternativa është e qartë: ose Kongresi shndërrohet në pikë kthese që e vendos BDI-në në binarë të rinj politikë, ose rrezikon të mbetet një moment i humbur, në një kohë kur “next step “ nuk është më opsion, por kusht për relevancë politike. Ajo që vendoset më 20 Dhjetor nuk është thjesht një kryesi apo një listë funksionesh, por trajektorja e partisë për vitet që vijnë. Nëse Ali Ahmeti e ndërton këtë tranzicion me mençuri dhe maturi- cilësi që, në momentet kyçe, nuk i kanë munguar – BDI mund të dalë më e fortë dhe më e besueshme; nëse jo, Kongresi rrezikon të jetë vetëm një ritual, jo reformë.