Gazetar: Zekirija Haxhiu
Komuna e Likovës tanimë ka marrë një denoncim për inspektim të punimeve por deri tani nuk ka një qëndrim konkret se çfarë është konstatuar. Thonë se kanë mungesë të inspektorëve dhe nuk mund që të arrijnë dhe t’i shqyrtojnë të gjitha rastet menjëherë.
“Komuna e Likovës tashmë ka marrë kërkesë për inspektimin e tillë, andaj ajo tashmë është në procedurë e sipër”, njoftojnë nga Komuna e Likovës.
Sipas raportimeve publike të banorëve, mësohet se kompania që po realizon këto punime është “One Konekt” me zyra në Kumanovë e themeluar vetëm para pak ditësh. Alsat tentoi por nuk arriti të gjejë kontakt nga kompania për ti pyetur nëse kanë marrë leje për lëshimin e kabllove optike.
Banorët e kësaj zone kanë frikë për sigurinë e tyre derisa lëvizin me automjete, duke shtuar se në disa raste i janë dëmtuar edhe pronat, për cka presin që përgjegjësia t’i shkon në llogari operatorit. Pyesin se kush po lejon hapjen e kanaleve pa asnjë kontroll në orë të vona dhe më pas të lihen në gjendje që të paraqesin rrezik për lëvizje të banorëve.
“Kush po vendos në fshatin tonë? Kush po lejon që të hapen kanale pa asnjë kontroll e pastaj të braktisen? A ka fshati këshilltarë? A funksionon ndonjë këshill i fshatit që duhet të reagojë për mbrojtjen e interesave të banorëve?””, njoftojnë nga Fshati Llojan.
Banorët që denoncuan gërmimet nëpër rrugët që frekuentojnë cdo ditë thonë se nuk përjashtohet që në fundjavë të protestojnë, derisa nga Komuna e Likovës dhe kompania përkatëse nuk marrin garancitë se gjithçka është në kuadër të ligjit dhe rruga do të kthehet në gjendjen e mëparshme. Të dhënat që ka siguruar Televizonit Alsat dëshmojnë se kompania posedon leje si operator, por nuk ka dëshmi juridike që argumentojnë se ka të drejt gërmimi.
Madje dyshohet se në disa seksione ka prekur edhe në kabllot nëntokësor të EVN-së duke rrezikuar edhe furnizimin me energji elektrike të banorëve. Denoncime deri në komunë dhe institucionet përkatëse përfshi edhe policinë kanë arritur edhe nga operatorët e mëdhenj të telekomunikimit. /Alsat.mk
The post Gërmime ilegale në rrugën Llojan-Vaksincë, operatori kabllovik vepron pa leje appeared first on Alsat.
