Autoritetet bullgare duhet të vendosin se çfarë të bëjnë me gjashtë buajt që kaluan kufirin nga Maqedonia pranë fshatit Gueshevë para disa ditësh, raporton BNT.bg.
Gjashtë buajt kaluan kufirin dhe kështu lind nevoja të vendoset nëse ata do të vriten, do t’u kthehen pronarëve të tyre në Maqedoni, apo do të qëndrojnë në Bullgari dhe të dërgohen në një depo ushqimi për kafshë, përcjell TV21.
Kafshët u vunë re nga kryetari i fshatit të Gueshevës, pranë kufirit me Maqedoninë. Për t’i kapur, punonjësit e sigurimit komunal në Qystendil dhe Policia Kufitare u dhanë fillimisht sedativ, pastaj i transportuan në një objekt të përkohshëm për rritjen e kafshëve.
“Aktualisht po i ushqejmë dhe i rrisim, bëhet fjalë për 6 kafshë, për të cilat para disa minutash dolën të gjitha mostrat dhe gjashtë janë absolutisht të shëndetshme. Të gjitha mostrat e marra janë negative, dmth nuk kanë sëmundje,” tha Ognyan Atanasov, kryetar i komunës së Qystendilit.
Ai shtoi se dy nga kafshët kanë shenja në vesh, që tregoi se ato shenja janë nga Maqedonia.
Sipas ligjeve evropiane, pasi kafsha hyn nga një vend jashtë Bashkimit Evropian, ajo duhet të vritet.
“Në praktikë, rrugët janë ose eutanazia, por kafshët janë të shëndetshme, që do të thotë se eutanazia mund të shmanget, mund t’i dërgojmë në depo ushqimi, që është opsioni i dytë, ose mund të gjendet një procedurë sipas marrëveshjes për t’i kthyer në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Një kafshë e tillë kushton rreth 6.000–7.000 leva, njëra është 700–800 kilogram si viç, supozoj se do të ketë interes nga pronarët”, theksoi Atanasov për BNT.
Sipas informacionit, katër nga kafshët nuk kanë shenja në vesh.
“Kthimi do të jetë i vështirë sepse nuk kemi prova që kafshët në fjalë janë pronë e tyre, që ata kanë ndonjë pronësi mbi to”, tha Kristian Ivançev, guvernator rajonal i Qystendil.
Nga Departamenti për Mbrojtjen e Kafshëve në Bullgari thonë se aktualisht, po bëhen bisedime me shërbimet veterinare të Republikës së Maqedonisë së Veriut për kthimin e kafshëve.
Shpenzimet për kafshët sipas autoriteteve bullgare aktualisht nuk janë të vogla; ato janë mbi 2.000 euro dhe vazhdojnë të rriten çdo ditë.
