Gazetar: Angell Dimovski
Vetëm pak ditë pas tragjedisë që tronditi vendin, ku një rrëshqitje dheu zuri katër punëtorë ndërtimi, prej të cilëve njëri humbi jetën ndërsa tre u lënduan, në fokus sërish është vënë siguria e punëtorëve. Të dhënat e Shoqatës për Mbrojtje në Punë tregojnë se gjatë vitit 2025 janë regjistruar 132 aksidente në punë, prej të cilave 31 me pasoja fatale. Këto të dhëna janë përfshirë në Raportin vjetor për aksidentet në punë dhe sëmundjet profesionale për vitin 2025, i publikuar me rastin e Ditës Botërore për Siguri dhe Shëndet në Punë.
Drejtori i Inspektoratit të Punës, i cili është përgjegjës për kontrollin e aktiviteteve ndërtimore, Gani Maksuti, refuzoi të japë deklaratë. Ai doli në foltore dhe foli vetëm për ditën e sotme dhe për numrin e kontrolleve të realizuara. Sipas Peshevskit, kryetar i sindikatës së ndërtimtarisë, shmangia e dhënies së deklaratës është një lloj distancimi.
“Fakti që drejtori shkoi i pari në vendngjarje, ndërsa tani nuk dëshiron të japë deklaratë, ndoshta do të mbetet një njollë e zezë në tërë rastin. Përsëri po them rast, nuk dua të paragjykoj paraprakisht, as nuk jam polici e as prokuror, por nuk dua as të mendoj se kjo do të përfundojë në dëm të punëtorit apo të familjes së tij”, deklaroi Ivan Peshevski, kryetar i sindikatës së ndërtimtarisë.
Sipas profesoreshës Jasmina Çallovska, duhet të punohet për mbrojtjen jo vetëm të shëndetit fizik, por edhe atij mendor, i cili është bazë për një punëtor produktiv, që është bartës i zhvillimit të çdo vendi.
“Siguria dhe shëndeti në punë nuk duhet të jenë temë dhe titull vetëm kur ndodh tragjedia dhe kur humb jetën një punëtor. Siguria dhe shëndeti në punë është një fushë që nuk toleron improvizime, politikë dhe ego personale. Është një fushë që kërkon përgjegjësi dhe përkushtim jashtëzakonisht individual dhe kolektiv”, tha Jasmina Çallovska, Profesoreshë.
Më së shumti aksidente në punë janë evidentuar në industrinë përpunuese 33 raste, pas së cilës vijojnë ndërtimtaria 15, administrata publike dhe mbrojtja si dhe sigurimi i detyrueshëm social 12, veprimtaritë e amvisërive si punëdhënës 11, veprimtaritë administrative dhe shërbimet mbështetëse 10, si dhe transporti dhe magazinimi 9 raste./Alsat.mk.
The post Gjatë vitit 2025 janë regjistruar 132 aksidente në punë, prej të cilave 31 me pasoja fatale appeared first on Alsat.
