Situata është stabile dhe e sigurt bazuar në të dhënat e agjencive të inteligjencës dhe sigurisë kombëtare, si dhe të dhënat nga ministritë e punëve të jashtme, të brendshme dhe të mbrojtjes, së bashku me Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë, deklaroi presidentja e shtetit, Gordana Siljanovska-Davkova, për mediat pas përfundimit të seancës së Këshillit të Sigurisë në Vilën Presidenciale Vodno, e thirrur për shkak të përkeqësimit të situatës në Lindjen e Mesme.
“Ne nuk jemi tani të ekspozuar ndaj paqëndrueshmërisë, as nuk ka rrezik për sigurinë brenda vendit dhe në rajon. Ekziston një sistem i paralajmërimit të hershëm për shkak të koordinimit të të gjitha organeve kompetente, dhe ai është shumë i rëndësishëm dhe i lidhur me monitorimin e vazhdueshëm të situatës ushtarake. Kështu, institucionet monitorojnë situatën brenda kompetencave të tyre, analizojnë gjendjet, koordinohen, informojnë, dhe për këtë arsye mendoj se kjo vlerësim për stabilitetin dhe sigurinë është i rëndësishëm dhe relevant”, theksoi presidentja.
Ajo theksoi se bëhen rregullisht vlerësime të rreziqeve dhe të gjithë të pranishmit në takimin që zgjati më shumë se dy orë në Vila Vodno, angazhuan vazhdimin e këtij procesi.
“Sigurisht, jemi në koordinim edhe me organet në rajon. NATO ende nuk ka mbajtur një seancë të posaçme, por Këshilli i Sigurisë ka mbajtur mbledhje. Sigurisht që informacionet rajonale do të ndahen. Seanca ishte e gjatë për shkak të thellësisë së analizave dhe të informacionit. Në situata të tilla gjithmonë mendojmë për ndikimin e mundshëm jo vetëm në siguri, por edhe në ekonomi, përdorimin e energjenteve, etj. Në këtë kontekst, autoritetet informuan se nuk ka probleme, interkonjektori midis Greqisë dhe nesh tashmë është funksional. Ligji parashikon të sigurohet rezerva e naftës për 40 deri në 90 ditë dhe kjo është plotësuar. Nga ajo që kam dëgjuar unë si presidente, mund të them se kam bindje të fortë, jo vetëm institucionale por edhe të dokumentuar me të dhëna, që nuk ka arsye për t’u shqetësuar tani. Sigurisht, do të vazhdojmë të ndjekim situatën dhe do të reagojmë në mënyrë adekuate”, deklaroi Siljanovska-Davkova.
Sipas saj, autoritetet kanë informuar se nën mbrojtje dhe kontroll janë selia e Komunitetit Hebre dhe Qendra Memoriale e Holokaustit në Shkup, për shkak të mundshme kërcënimeve ndaj sinagogave dhe objekteve të tjera hebreje nëpër botë, ndaj të cilave duhet t’i kushtohet vëmendje e veçantë.
“Kjo gjithashtu monitorohet dhe është nën mbrojtje dhe kontroll, që do të thotë se nuk mund të presim ndonjë surprizë”, shtoi presidentja.
Këshilli i Sigurisë ishte në përbërje të plotë, dhe gjatë gjithë kohës në mbledhje përmes video-lidhjes mori pjesë edhe ministri i punëve të jashtme, Timço Mucunski, i cili ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nga ai, tha Siljanovska-Davkova, morën informacion për numrin në rritje të shtetasve maqedonas në rajonin e Lindjes së Mesme. Ata kanë marrë mesazhin nga Ministria e Punëve të Jashtme që të kontaktojnë konsullatat dhe të regjistrohen për t’u përfshirë në planin e evakuimit eventual.
“Më e rëndësishmja është se Qendra Krizore e formuar brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme është në kontakt të vazhdueshëm me të gjithë qytetarët. Sigurisht që njerëzit janë të shqetësuar, arsyeja është qielli i mbyllur për fluturime. Në disa vende, si për shembull Katari, ekzistonte mundësia për transport detar, por edhe ai nuk funksionon. Fakt është që ata janë të strehuar, të sigurt dhe në kontakt të vazhdueshëm me Ministrinë e Punëve të Jashtme, e cila po punon për të gjetur mënyrën më të mirë dhe më të shpejtë që ata që duan të vijnë këtu ta bëjnë këtë”, tha presidentja Siljanovska-Davkova në konferencën për media pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Sigurisë.
