Një numër në rritje i qytetarëve gjermanë thonë se nuk ndihen më të sigurt në hapësirat publike, rrugë dhe transport publik. Sipas sondazhit më të fundit të institutit Infratest-dimap për emisionin “Deutschlandtrend” të ARD, çdo i dyti gjerman deklaron se ndien pasiguri — dy herë më shumë se tetë vjet më parë.

Rritja e pasigurisë ndodh në një periudhë debatesh të forta për “imazhin e qytetit”, të nisura nga kancelari Friedrich Merz, i cili ka lidhur sigurinë publike me çështjen e migracionit. Merz tha se Gjermania ka nevojë për imigracion, sidomos në tregun e punës, por theksoi se probleme lindin nga migrantët pa status të qëndrueshëm dhe pa punë. Këto deklarata kanë shkaktuar polarizim të madh në politikën dhe shoqërinë gjermane.

Sipas sondazhit, frika më e madhe e qytetarëve lidhet me vjedhjet dhe sulmet verbale, ndërsa frika nga sulmet fizike, seksuale apo terroriste është më e ulët. Megjithatë, statistikat zyrtare tregojnë se shumica e akteve të dhunës ndodhin në shtëpi, jo në publik: në vitin 2024 u regjistruan mbi 265 mijë raste dhune në familje, një rekord i ri.

Në listën e problemeve kryesore për qytetarët, migracioni qëndron në vend të parë (32%), i ndjekur nga gjendja ekonomike (28%). Ndërsa vetëm 14% përmendin mbrojtjen e mjedisit dhe ndryshimet klimatike si çështje urgjente.

Ndjenja e pasigurisë shtrihet edhe në fushën ekonomike dhe sociale: vetëm 29% e gjermanëve e konsiderojnë pozicionin ekonomik të vendit të qëndrueshëm, dhe vetëm 27% besojnë në një të ardhme të sigurt për fëmijët e tyre — gjysma e nivelit të dhjetë viteve më parë.

Në këtë atmosferë, pakënaqësia ndaj qeverisë federale është e lartë: vetëm 22% e qytetarëve mendojnë se kabineti po e bën mirë punën, ndërsa 76% shprehen të pakënaqur.

Nëse zgjedhjet do të mbaheshin tani, CDU/CSU do të merrnin 27% të votave, ndjekur nga AfD me 26%, SPD me 14%, Të Gjelbrit me 12% dhe Të Majtët me 10%.

The post Gjermanët ndihen gjithnjë e më pak të sigurt në hapësirat publike appeared first on Alsat.