Gjermania ka akuzuar Rusinë për sulme kibernetike që kanë shënjestruar kontrollin e trafikut ajror dhe zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura në shkurt. Berlini e ka thirrur në bisedë ambasadorin rus për ta qortuar për çështje.

Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme tha se shërbimet e sigurisë së Gjermanisë kanë dëshmi se grupe të hakerëve, që udhëhiqen nga shërbimi rus i inteligjencës ushtarake, GRU, ishin përgjegjës për sulmet dhe operacionet e ndikimit.

“Bazuar në analizat e bëra nga shërbimet gjermane të inteligjencës, ne ishim në gjendje që qartësisht të identifikonim se kush qëndronte pas kësaj ngjarje dhe dëshmi për përgjegjësinë e Moskës”, tha zëdhënësi.

“Ne tani mund t’ia atribuojmë sulmin kibernetik ndaj Sigurisë Ajrore gjermane në gusht të vitit 2024 hakerëve të grupit APT28, të njohur po ashtu si Fancy Bear”, tha ai gjatë një konference për media.

“Gjetjet e inteligjencës sonë dëshmojnë se shërbimi rus i inteligjencës ushtarake, GRU, mban përgjegjësi për këtë sulm”, shtoi ai.

Zëdhënësi po ashtu tha se Rusia kishte synuar që të ndikonte në zgjedhjet parlamentare të shkurtit, të cilat i fituan konservatorët e kancelarit Friedrich Merz, teksa AfD-ja e ekstremit të djathtë doli e dyta, duke shënuar rezultatin më të mirë në zgjedhje.

“Së dyti, tani ne mund të pohojmë se Rusia, përmes fushatës Storm 1516, synoi të ndikonte dhe destabilizonte zgjedhjet e fundit parlamentare”, theksoi ai.

Sipas tij, një institut kërkimor në Moskë, i mbështetur nga GRU-ja, dhe grupe të tjera, kishin shpërndarë imazhe të gjeneruara me inteligjencë artificiale dhe përmbajtje të tjera, me synimin që të përçanin shoqërinë dhe të “minonin besimin në institucionet demokratike”.

Gjermania insistoi se ka “dëshmi të fuqishme” se Rusia qëndron prapa këtyre operacioneve, por zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme gjermane tha se nuk mund të japë detaje sepse aty përfshihet puna e shërbimeve të inteligjencës.

Ambasada ruse në Berlin nuk ka reaguar ende për këto pretendime.

Gjermania paralajmëroi se do të ndërmarrë “një sërë kundërmasash në mënyrë që Rusia të paguajë çmim për veprimet e saj hibride, në koordinim të ngushtë me partnerët evropianë”.

Zëdhënësi tha se Gjermania do të mbështesë “sanksione të reja individuale kundër aktorëve hibridë në nivel evropian”, pa specifikuar se për kë bëhej fjalë.

Ai shtoi se nga janari, shtetet e Bashkimit Evropian do të “monitorojnë udhëtimet ndërkufitare të diplomatëve rusë brenda zonës Schengen. Qëllimi është që të lehtësohet këmbimi i informacionit dhe të minimizohen rreziqet e inteligjencës”.

Qeveritë në mbarë Evropën janë në gatishmëri të lartë për shkak të dyshimeve për spiunazh rus, vëzhgim me dronë dhe aktivitete sabotuese, si dhe për sulme kibernetike dhe fushata dezinformimi.

Gjermania është shteti i dytë që i ka ofruar më së shumti ndihmë Ukrainës, që kur Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të shtetit fqinj më 2022 dhe e ka akuzuar Moskën se qëndron prapa inkursioneve me dronë në disa shtete evropiane në muajt e fundit.

Kancelari Merz ka argumentuar se fluturimet e dronëve janë dëshmi se presidenti rus, Vladimir Putin, po përpiqet të trazojë kontinentin me “sulme hibride”.

“Është Rusia ajo që po përpiqet të na destabilizojë në Gjermani dhe në Evropë me metoda të luftës hibride”, tha Merz në tetor. “Ne do ta mbrojmë veten kundër tyre tani dhe në të ardhmen”.