Pas dorëzimit të kallëzimit penal ndaj kompanisë Onima për shkelje të të drejtave të autorit, Gjesti ka ndarë një mesazh të ndjerë falënderimi për fansat e tij.

Artisti, i cili pretendon se të drejtat e tij janë shitur pa dijeninë dhe autorizimin e tij, ka theksuar rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme nga publikun gjatë gjithë kësaj periudhe.

“I dua më së shumti, janë të çmendur, kurrë nuk më kanë lënë vetëm, as unë kurrë s’do t’i lë. Ju dua më së shumti”, u shpreh këngëtari, fitues i BBVA vitin e kaluar.

Gjesti dhe avokati i tij kanë bërë të ditur se kallëzimi penal lidhet me një kontratë të zbuluar rishtazi, për të cilën artisti nuk kishte dijeni. Sipas tyre, kontrata pretendon shitjen e të drejtave të autorit të Gjestit dhe përfitimet nga arti i tij janë marrë pa autorizimin e tij.

Avokati ka shtuar se do të kërkohet ekspertizë grafologjike për të vërtetuar nënshkrimin në kontratë dhe se janë të gatshëm të ofrojnë prova shtesë për hetimet e prokurorisë.

Mesazhi i këngëtarit ka emocionuar fansat, të cilët kanë reaguar me mbështetje të madhe, duke treguar lidhjen e ngushtë që ai ka krijuar me publikun e tij gjatë gjithë karrierës.

Gjesti ka paralajmëruar gjithashtu se sapo të përfundojnë procedurat ligjore, do të ketë shumë lajme të reja rreth tij dhe krijimtarisë së tij.