Gazetar: Zekirija Haxhiu
Borxhi i Ndërmarrjeve Publike nën Qytetin e Shkupit tejkalon shumën e 300 milion eurove, thotë kryetari i ri i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski. Në një intervistë në Sitel i pari i Shkupit paralajmëroi ndryshime kadrovike dhe menaxheriale në Qytet, në Ndërmarrjet Publike, shtëpitë kulturore dhe shkollat e mesme. Sa i përket punëtorëve të larguar për shkak mos shkuarjes në punë, nga 370 tani ky numër ka shkuar në 500. Kryeprokurori Lupço Kocevski është i gatshëm që bashkë me Prokurorinë të veprojë mbi këto dyshime por i bën thirrje Gjorgjievskit që t’ i paraqesë të gjitha dëshmitë.
“Ai si kryetar komune nëse ka dëshmi, është kompetent dhe mund ta paraqesë te organet kompetente e ajo MPB dhe t’i dorëzojë ato dokumente deri te Prokuroria Publike, dhe Prokuroria Publike ashtu ka funksionuar që do të thotë se do të veprojë edhe më tej dhe nëse me të vërtetë ka keqpërdorime nuk ka problem jemi në dispozicion”, deklaroi Lupço Kocevski – Kryeprokuror.
Ndërkohë paraardhësja e Gjorgjievskit, Danella Arsovska përgënjeshtron kryetarin e ri të Shkupit. Kërkon përballje televizive me të, ku do të mund të publikohen të gjitha dëshmitë për borxhet dhe të punësuarit.
“Kryetar, t’i publikoni të gjitha firmat me borxhe nga institucioni, me fatura dhe data se prej kur u jemi borxh, që populli ta kuptojë se gënjen. Me emër e mbiemër t’i publikoni të gjithë 500 të punësuarit dhe kush nga kur nuk ka shkuar në punë, që edhe aty të shihet se gënjen. 3 vjet për një copëz bukë të gjithë që shkonin në punë, ti i largove që të krijosh vende për ushtarët e tu partiak”, deklaroi Danella Arsovska – Ish kryetare e Shkupit.
Gjorgjievski ka paralajmëruar se përpos asaj që të punësuarit janë larguar nga puna, duhet t’i kthejnë dhe rrogat që kanë marrë derisa kanë qëndruar në shtëpi, por të ketë edhe përgjegjësi për udhëheqësit e sektorëve dhe drejtorëve që e kanë lejuar këtë. Raste të tilla më së shumti ka pasur në Ndërmarrjen “Parqe dhe Gjelbërime”, “Higjienën Komunale”, “Ujësjellës dhe Kanalizim” dhe Drislla. Javë më parë drejtori i Higjienës Komunale, Sabadin Rustemi u arrestua për rrezikim të ambientit jetësor pas kaosit të krijuar me mbeturinat në kryeqytet për çka parashikohet dënim me burg nga tre muaj deri në tre vjet. /Alsat.mk
The post Gjorgjievski: Ndërmarrjet kanë borxh prej më shumë se 300 milion euro appeared first on Alsat.

