Dy persona nga një motor kanë qëlluar disa plumba drejt një “Audi” që po lëvizte drejt fshatit Nikulane, në rrugën e lagjes Karposh.

Më 31.08.2026 rreth orës 02:45, në Drejtorinë e Punëve të Brendshme Kumanovë është raportuar se rreth orës 02:40, në rrugën lokale nga lagja Karposh e Kumanovës drejt fshatit Nikulane, komuna Staro Nagoriçane, nga një moped në lëvizje, në të cilin po udhëtonin dy persona, janë qëlluar disa plumba nga armë zjarri drejt një veture pasagjerësh “Audi” me targa të Kumanovës, të drejtuar nga D.D. (34) nga Kumanova, informon Ministria e Punëve të Brendshme.

Sipas policisë, në të shtënat nuk ka persona të lënduar.

Një ekip i Drejtorisë së Punëve të Brendshme Kumanovë ka kryer këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe po merren masa për gjetjen e autorëve dhe sqarimin e rastit.