Është zgjedhur Qeveria e re e Serbisë, me kryeministër të ri Gjuro Macut. Votimi ishte i hapur – ku deputetët u thirrën në emër. Për zgjedhjen e Qeverisë së re të Serbisë me kryeministër Gjuro Macut, 153 deputetë votuan pro dhe 46 votuan kundër propozimit. Ndërkaq në Kuvend munguan 51 deputetë.

Politika ekonomike e Serbisë nuk do të ndryshojë. Të paktën kështu bëri të ditur kryeministri i sapozgjedhur Gjuro Macut, duke e arsyetuar programin e tij para deputetëve në Kuvend. Politika e ruajtjes së stabilitetit makroekonomik që kemi pasur deri më tani vazhdon, ka shtuar Gjuro Macut.

Qeveria e re e Serbisë në krye me Gjuro Macut do të përbëhet nga 30 ministra, shumica prej të cilëve ishin edhe në kabinetin e kryeministrit Milosh Vuçeviq, i cili dha dorëheqje.

Kujtojmë se në seancën e Kuvendit nuk morën pjesë deputetë të koalicionit NADA dhe Partisë Demokratike.