Gjykata në Hagës ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes së Kadri Veselit për lirim të përkohshëm dhe ka urdhëruar vazhdimin e paraburgimit të tij në Qendrën e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë.
Në vendimin e marrë nga gjykata, arsyeja e refuzimit është se ekziston rreziku që ai të pengojë rrjedhën e procedurës gjyqësore, si dhe ekziston rreziku për kryerje të veprave tjera penale, veçanërisht ndaj dëshmitarëve apo personave të lidhur me rastin.
Gjykata vlerësoi se mbyllja e rastit nga Prokuroria nuk përbën ndryshim thelbësor të rrethanave që do ta justifikonte lirimin e tij.
Në vendimin e gjykatës tutje thuhet se asnjë masë alternative, përfshirë arrestin shtëpiak apo mbikëqyrjen nga Policia e Kosovës, nuk është e mjaftueshme për të zvogëluar këto rreziqe.
Gjykata vlerësoi se paraburgimi i Veselit mbetet i nevojshëm dhe proporcional, pavarësisht kohëzgjatjes së tij.
