Disa nga klinikat e QKUK-së të martën shërbyen edhe si gjykatore. Në to u mbajt seanca për caktimin e masës së sigurisë për 5 të plagosurit në konfliktin me armë zjarri mes dy bandave. Gjykata aprovoi kërkesën e Prokurorisë për masën e paraburgimit prej 30 ditësh për të pesë të dyshuarit.

5 të plagosurve nga konflikti me armë zjarri mes dy bandave të dielën në kryeqytet, me kërkesë të Prokurorisë, iu është caktuar masa e paraburgimit nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Seanca dëgjimore për ta u mbajt nëpër klinikat e QKUK-së, ku edhe po marrin trajtimin e nevojshëm mjekësor.

Në kërkesë të Prokurorisë për paraburgim, të cilën e ka publikuar “Betimi për drejtësi”, thuhet se të dyshuarit Korab Gashi dhe vëllai i tij, tashmë i ndjerë, Premtim Gashi, futen në një kafiteri, e me armë të gjata gjuajnë në drejtim të të pandehurve Salih Sekiraqa, Faton Abazi dhe një personi të mitur.

Pasi dy vëllezërit Gashi fillojnë të dalin nga lokali, në shkresën e Prokurorisë thuhet se Salih Sekiraqa dhe Faton Abazi me qëllim të vrasjes shtien me armë zjarri, ku edhe vritet Premtim Gashi.

Në këtë dokument të organit të akuzës thuhet se të dyshuar të tjerë kanë ikur nga vendi i ngjarjes me mjete motorike me katër rrota.

Për këtë ngjarje u deklarua edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Ajo u bëri thirrje institucioneve që të përfshirit të mbahen përgjegjës.

“Për mua është e papranueshme që kriminelë, grupe kriminale të tolerohen nga sistemi i drejtësisë apo të tentojnë të sfidojnë ligjin dhe të konsiderojnë që janë mbi ligjin dhe mbi shtetin. Prandaj, në këtë rast i bëj thirrje secilit institucion që të kryejë përgjegjësinë në nivelin më të lartë në mënyrë që mos të lejojë kriminelët apo grupet kriminale që të bëjnë veprime të tilla. Ata duhet të përgjigjen para drejtësisë”, tha Haxhiu.

E dy ditë pas vrasjes dhe përleshjes me armë, në rrugën “Gazmend Zajmi” në Prishtinë edhe të martën pati të shtëna me armë zjarri.

Dyshohet se pas një përplasjeje verbale një person ka shtënë me armë.

Sipas pamjeve të publikuara në rrjete sociale, një person shihet duke kërcënuar me armë një punëtor të “Extrem Pizza”.

Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka njoftuar se ende nuk ka të arrestuar për këtë rast.