Gjykata Themelore në Tetovë solli vendim që kryetari i Aleancës për Shqiptarët të jetë Ziadin Sela. Sipas këtij vendimi, vulat e partisë tani i takojnë Selës. Në vendimin e gjykatës thuhet se pranohet kërkesa për ndërrimin e kryetarit të partisë, respektivisht në vend të Arben Taravarit, të emërohet Ziadin Sela.
“Qartësimi i kësaj situate se kujt i takon ASH, kalon në dimensionin edhe të qartësimit të rrëmujës dhe kaosit politik të krijuar brenda këtij viti. Një ASH qartazi e definuar në përcaktimet programore të saj. Qartazi në rrugën në konsistencën e saj politike. Një ASh në trungun e vet, te themeluesit e vet, natyrisht që është në të mirën e gjithë shqiptarëve dhe qytetarëve të tjerë, prandaj ky është një vendim i rëndësishëm i drejtë dhe ASh do vazhdojë ashtu siç i takon dhe siç ka vepruar edhe në ta kaluarën”, tha Ziadin Sela – ASH.
Reagoi Arben Fatai nga krahu u Taravarit, i cili tha se gjykatësi Ilir Rexhepi po përpiqet të konotrabandojë Aleancën për Shqiptarët.
“Vendimi skandaloz i gjykatësit Rexhepi do të rrëzohet përsëri në Gjykatën e Apelit, deri në një vendim përfundimtar që do të vendos drejtësi në vend, e lëmë Selën dhe klikën e tij, të vetëkënaqen me vulat imagjinare të gjykatësit Rexhepi dhe me karamelet e Ali Ahmetit”, u shpreh Arben Fetai nga ASH-Taravari.
Fetai paralajmëroi se vendimin do ta ankimojnë , e këtë kanë të drejtë ta bëjnë në afat kohor prej 15 ditëve. Nga atje shtojnë se kanë besim te drejtësia dhe te Gjykata e Apelit si instanca e fundit gjyqësore për këtë çështje.
