Arbitrja shqiptare Emanuela Rusta do të jetë në qendër të vëmendjes në futbollin europian të femrave, pasi UEFA i ka besuar drejtimin e një prej ndeshjeve më të rëndësishme të javës së katërt të fazës së ligës në Champions League për femra.

32-vjeçarja shqiptare do të jetë arbitre kryesore në përballjen mes Juventusit dhe Lyonit, e cila do të zhvillohet të mërkurën, më 11 nëntor, në orën 21:00, në Biella të Italisë.

Rusta do të ketë në krah një tjetër shqiptare, Jena Malën, si asistente, ndërsa Nicoleta Ramona Bria do të jetë asistentja tjetër. Në sistemin VAR do të jetë gjithashtu një emër shqiptar, Kreshnik Barjamaj.

Bëhet fjalë për një përballje me shumë peshë, ku Juventusi do të presë Lyonin, një prej skuadrave më të suksesshme në historinë e futbollit europian të femrave, me tetë trofe të Champions League.

Ky emërim përfaqëson një tjetër vlerësim për arbitrin shqiptar dhe përfaqësimin e gjykimit shqiptar në arenën ndërkombëtare.