Gazetar: Zekirija Haxhiu

46,5% e të rinjve nuk besojnë se Maqedonia e Veriut ndonjëherë do të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian derisa 35,8% besojnë por thonë se kjo do të ndodhë pas shumë viteve. Sipas hulumtimit. 41% e të anketuarve, kanë qëndrim pozitiv për BE-në. Nga 1000 të anketuar, 84,6% e kanë theksuar korrupsionin si pengesë kryesore për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Vijojnë kontestet dypalëshe dhe besimi i ulët në institucione. Alsat pyeti të rinjtë nëse besojnë se në një të ardhme të afërt, vendi do të bëhet anëtar i BE-së.

“Me kalimin e kohës do të arrihet por mendoj se do të nevojitet periudhë më e gjatë për të arritur deri atje… Po korrupsioni përfundimisht, ndotja, probleme ekonomike gjithashtu|, u shpreh një studente.

“Mendoj se nuk do të bëhemi. Pse? Po mendoj se gjithçka na shkatërruan në këtë shtet kështu që nuk besoj se do të bëhemi. Ndoshta ndonjëherë në një të ardhme të largët…. Po gjithkush një nga një po ikin, askush nuk dëshiron të qëndrojë më këtu dhe shumica kanë pasaporta bullgare. Pse po ikin cilat janë shkaqet?

Sepse nuk ka kushte këtu, tani do të përfundoj fakultetin dhe përsëri nuk do të mund të gjej punë”, tha një tjetër studente.

“Po mund të thuhet por do të vonojë paksa me hyrjen.. Do të nevojiten disa vite? Po, më së miri do të ishte shteti ynë të fokusohet në vendin tonë të jetë më mirë se sa… Në reformat e brendshme? Po ndoshta ne vet mund ta rregullojmë shtetin tonë se sa të presim nga dikush nga jashtë të na rregullojë shtetin. Çfarë duhet të rregullojë shteti? Çfarë i mungon? Po arsimi, rrogat të rriten, të pastrohet bukur si po bëhet tani, të ketë siguri në qytet, gjithçka”, deklaroi një student.

60% e të rinjve nuk besojnë se anëtarësimi do ta ulte emigrimin. Sipas tyre shanse më të mëdha për anëtarësim në Bashkimin Evropian kanë Shqipëria, Mali i Zi, Serbia dhe më pas Maqedonia e Veriut.
Anketa është realizuar në muajin qershor në bashkëpunim me platformën “Studentaria” dhe ka përfshirë rreth 1000 të rinj.

Analiza është përgatitur me pjesëmarrje të Institutit për menaxhim të mirë dhe perspektiva euroatlantike në Shkup, Qendra Evropiane për Përsosmëri nga Brukseli dhe Fondacioni “Fridrih Nauman”. /Alsat.mk

The post Gjysma e të rinjve nuk besojnë se RMV-ja ndonjëherë do të anëtarësohet në BE appeared first on Alsat.