Një grua 39-vjeçare është arrestuar pasi sulmoi një polic dhe një punonjës sigurie në Spitalin e Traumës.

Henxa Deliu kishte kërkuar të futej në ambientet e brendshme të spitalit teksa djali i saj po merrte trajtim.

Pasi roja nuk e lejoi, 39-vjeçarja e goditi. Më pas, roja lajmëroi policët për ta larguar, por gruaja kafshoi në shpatull njërin prej policëve dhe e goditi.

Policia ka bërë publik identitetin e plotë gruas në këtë rast me emër e mbiemër, teksa në çdo ngjarje tjetër e raporton me iniciale!

39-vjeçarja është arrestuar për veprat penale të “Kundërshtimit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Goditje për shkak të detyrës”.

NJOFTIMI

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 arrestuan shtetasen Henxa Deliu, 39 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Goditjet për shkak të detyrës”, parashikuar nga nenet 236 dhe 237 të Kodit Penal.

Kjo shtetase, në ambientet e SUT, ka kundërshtuar me forcë e ka goditur një punonjës Policie dhe një punonjës për shërbimin privat të sigurisë fizike”, njofton policia.