Bashkimi Evropian nga 10 korriku 2027 do të vendosë një rregull të ri me të cilin kufizohen pagesat me para në dorë deri në maksimum 10.000 euro në të gjitha vendet anëtare, përcjell TV21. Rregullorja e re do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në blerjen e automjeteve, pasi një pjesë e madhe e transaksioneve, veçanërisht për automjetet e përdorura, deri tani shpesh janë kryer me para në dorë.
Sipas rregullave të reja, të gjitha pagesat mbi 10.000 euro do të duhet të realizohen përmes transferit bankar, kreditit ose mënyrave të tjera pa para në dorë. Nuk lejohet as shmangia e kufizimit duke e ndarë shumën në disa pagesa më të vogla.
Përjashtime të kufizuara
Kufizimi nuk do të vlejë për transaksionet mes personave privatë, me kusht që të mos bëhet fjalë për aktivitet të fshehur biznesi. Megjithatë, kur në transaksion përfshihet një kompani ose tregtar, rregulli zbatohet pa përjashtim.
Kontrollet shtesë
Përveç kufirit, parashikohen edhe masa të reja identifikimi. Për pagesa mbi 3.000 euro, blerësit do të duhet të paraqesin dokumente identiteti, ndërsa shitësit do të jenë të detyruar të regjistrojnë dhe ruajnë të dhënat.
Kalimi drejt pagesave digjitale
Pritet që rregullat e reja të ndryshojnë ndjeshëm mënyrën e blerjeve, ku paraja në dorë do të humbasë gradualisht rolin e saj, ndërsa transfertat bankare, kreditë dhe lizingu do të bëhen dominuese.
Qëllimi – lufta kundër pastrimit të parave
Qëllimi kryesor i masës është rritja e kontrollit mbi rrjedhat financiare dhe parandalimi i pastrimit të parave dhe transaksioneve ilegale, të cilat shpesh lidhen me pagesat e mëdha në cash.
Kjo është hera e parë që një kufizim i tillë vendoset në nivel të Bashkimit Evropian, megjithëse disa vende tashmë kanë rregulla të ngjashme, shpesh edhe më të rrepta.
