Prej disa ditësh pritej me interes të madh lajmi: Google do të investojë miliarda në infrastrukturën digjitale në Gjermani. Çështja ishte: Ku do të shkojnë këto para dhe për çfarë konkretisht? Pasditen e 11 nëntorit sipërmarrja e teknologjisë nga Kalifornia shpalli lajmin e shumëpritur.

Në konferecën e shtypit në Berlin shefi i Google në Gjermani, Philipp Justus, deklaroi se kompania në katër vitet e ardhëshme do të investojë 5,5 miliardë euro në vend. Kjo përfshin ndërtimin e një qendre të re të dhënash në qytetin Dietzenbach në landin e Hesenit. Po ashtu do të zgjerohen edhe qendrat ekzistuese në Mynih, në Frankfurt dhe në Berlin.

Qeveria gjermane reagoi mjaft e kënaqur: “Ne duam ta kthejmë Gjermaninë në një zonë lider për qendrat e të dhënave në Europë”, i deklaroi agjencisë Reuters ministri i Digjitalizimit, Karsten Wildberger.

Ministrja e Shkencave Dorothee Bär nga Partia Kristiansociale planet e Google për investime i vlerëson si një dëshmi, që Gjermania është një zonë tërheqëse ekonomike. Angazhimi i Google sjell “rritje ekonomike duke shtuar edhe vlerën për vendin tonë”.

Këto plane të Google i vlerësoi edhe ministri socialdemokrat i Financave dhe Zëvendëskancelari Lars Klingbeil: “Eshtë pikërisht kjo, për çfarë kemi nevojë tani.” Klingbeil i tha më tej agjencisë së lajmeve dpa, se një plan i tillë është “një investim i vërtetë për të ardhmen në fushën e inovacionit, inteligjencës artificiale, transformimit neutral ndaj klimës dhe vendeve të ardhshme të punës në Gjermani”. Google pati deklaruar, se investimet “deri më 2029 do të sigurojnë çdo vit rreth 9000 vende pune në Gjermani”.

Qendrat e të dhënave bekim apo mallkim?
Profesor Katharina Hölzle është drejtuese në Institutin Fraunhofer në Shtutgart. Ajo ka një vështrim të diferencuar ndaj programit të Google. Nga njëra anë kjo ofertë është për t’u mirëpritur, sepse “tregon, që ne jemi më tërheqës si vend, nga sa ne vet mendojmë”.

Por nga ana tjetër, thekson ajo në bisedë për DW, kjo ofertë i ngjall drojën, se mund të krijohen varësi të reja: “Këtu do të krijohen infrastruktura të reja, prej të cilave më vonë do të jetë e vështirë të shkëputemi.”

Me zhvillimin e inteligjencës artificiale po rritet gjithnjë e më shumë kërkesa për shtimin e qendrave të të dhënave.

Studiuesja Hölzle vë në dukje, se “diskutimi për sovranitetin digjital gjatë dymbëdhjetë muajve të fundit është intensifikuar”. Megjithatë nënvizon ajo është “shumë e rëndësishme, që politika në Gjermani të t’i kushtojë vëmendje faktit, se ku do të regjistrohen të dhënat dhe kush do të ketë akses në to. Kjo është çështje thelbësore, për të mbrojtur aftësinë e konkurrencës të industrisë gjermane.” DW

The post Google investon miliarda për qendra të dhënash në Gjermani appeared first on Alsat.