Në spitalin e Gostivarit sot u lëshua në përdorim një sallë operacioni në repartin e traumatologjisë dhe ortopedisë. Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, tha se për të ndihmuar kolegët e spitalit të Gostivarit, në sallë do të asistojnë specialistë nga Klinika Universitare e Shkupit, deri sa mjekët lokal të fitojnë përvojën e nevojshme.

“Investuam që të jetë një sallë operative që të mund të operohen të gjithë pacientët, që kanë problem të ndryshme që lidhen me specializime të traumatologjisë, pra këtu bashkë me kolegët e Gostivarit janë edhe kolegët e klinikës universitare nga Shkupi dhe qëllim që të bëhet transferim e dhuntive që të bëhen këto operacione që pastaj mjekët lokal të mund të vazhdojnë të bëjnë operacione të tilla”, tha Azir Aliu.

Drejtori i spitalit, Emri Bajrami, nënvizoi se kjo është hera e parë që hapet një sallë e tillë në spitalit të Gostivarit.

“Kjo është hera e parë që në historinë e spitalit të përgjithshëm të Gostivarit që hapet një sallë operative e specializuar për ndërhyrje ortopedike dhe traumatologjike, ku do të kryhen të gjithë llojet e operacioneve të këtyre fushave”, tha Emri Bajrami.

Derisa më parë pacientët duhej të prisnin me muaj për intervenime kirurgjikale në ortopedi, tani operacionet mund të kryhen direkt në Gostivar, duke përmirësuar shërbimin dhe qasjen në kujdesin shëndetësor lokal.