Prokurorja franceze njoftoi të martën, 21 tetor, se dëmi financiar nga grabitja e guximshme në Muzeun e Luvrit është vlerësuar në 88 milion euro (102 milion dollarë), pas zhdukjes së bizhuterive të çmuara mbretërore.

Rreth 60 hetues janë në dispozion për të zbuluar më shumë për këtë grabitje në mes të ditës.

Prokurorja e Parisit, Laure Beccuau, tha për televizionin RTL se kujdestari i muzeut kishte llogaritur humbjet në këtë shifër, por theksoi se hajdutët nuk do të fitojnë aq shumë “nëse do të mendojnë për t’i shkrirë këto bizhuteri”.

Po kush mund të jetë pas grabitjes së shekullit?

“Gjithë hipotezat janë të mundshme”, thotë prokurori i Parisit, Laure Beccuau.

“Vjedhja mund të jetë kërkuar nga ndonjë koleksionist, rast në të cilin kemi shpresë t’i gjejmë bizhuteritë në gjendje të mirë, ose nga hajdutë që iu interesojnë vetëm bizhuteritë dhe metalet e çmuara, ndoshta për të pastruar para të aktivitetit kriminal.

Çdo gjë mund të lidhet me trafikimin e drogës, duke marrë parasysh shumat e mëdha të parave”, shton prokurori, i cili nuk përjashton “ndërhyrjen e huaj”, edhe pse s’është hipoteza e parapëlqyer. Edhe të hënën, 20 tetor, Luvri qëndroi i mbyllur që hetuesit të vazhdonin hetimet dhe të merrnin në pyetje punonjësit për të zbuluar nëse banditët kanë pasur një bashkëpunëtor të brendshëm.

Disa dëshmitarë i dëgjuan grabitësit të flisnin në gjuhë të huaj duke nxitur idenë e përfshirjes së “Panterave Rozë”, grupit famëkeq ish-jugosllav që përbëhej nga ish-ushtarakë nga Serbia dhe Mali i Zi.

Ata kanë bërë kërdinë në Europë që në vitet ’90 dhe e morën emrin nga Interpoli pas një vjedhjeje në vitin 2003 në Londër, kur u gjet një diamant i fshehur brenda një kavanozi me krem, njësoj si në filmin e famshëm me inspektorin Clouseau.

The post Grabitja spektakolare e Luvrit, 88 milion euro ikën sa hap e mbyll sytë appeared first on Alsat.