Greqia ekspozon dronë, sisteme antidrone dhe armë me inteligjencë artificiale në paradë

Selaniku kremton 28 Tetorin me një paradë që sjell aromën e së ardhmes.

Përpara Presidentit të Republikës Konstantinos Tasoulas dhe Kryeministrit Kyriakos Mitsotakis, Forcat e Armatosura Greke prezantuan teknologjitë më të reja të mbrojtjes, duke treguar se Greqia po hyn në epokën e inteligjencës artificiale. u prezantuan dronë, anti-dronë dhe armë elektronike.

Në paradë u shfaq për herë të parë sistemi anti-dron “Kentaurus”, një arritje e prodhimit grek që u testua me sukses në “Operacionin Mburoja” në Detin e Kuq, duke neutralizuar sulme të mundshme nga dronët Huthi.

Një tjetër risi ishte arma e luftës elektronike “Hyperion”, e aftë të rrëzojë dronë armiq, dhe një robot i specializuar për çaktivizimin e pajisjeve shpërthyese.

Në pjesën tokësore, tanket Leopard të Ushtrisë Greke u prezantuan me struktura të reja mbrojtëse, ndërsa mini-dronët dhe helikopterët autonomë treguan avancimin e forcave ajrore.

Kulmi i paradës ishte fluturimi spektakolar i ekipit “ZEUS”, me togerin Georgios Sotiriou në komandë, që komunikoi drejtpërdrejt me Presidentin përmes radios gjatë demonstrimit.

Me qiell të kthjellët dhe atmosferë festive, mijëra qytetarë mbushën bulevardin dhe plazhin e ri të Selanikut për të përshëndetur përvjetorin e “JO-së” së madhe simbol i qëndresës dhe pavarësisë greke./oranews