Gazetare: Linda Ebibi Ademi

Ndonëse numri i të prekurve nga gripi është në rënie, mjekët theksojnë se javët e fundit po përballen gjithnjë e më shumë me komplikime serioze. Si pasojë e kohëzgjatjes së temperaturës së larta dhe neglizhimit të simptomave, shumë shpesh pacientët paraqiten te mjeku me gjendje të përkeqësuar.

“Në këtë periudhë shpesh kemi edhe pacientë me komplikime të gripit, duhet të theksoj se numri i pacientëve me grip është ulur, por na janë paraqitur komplikimet e gripit, shumë shpesh këtë periudhë kontrollojmë fëmijë me infeksione të veshëve, komplikime nga temperaturat që kanë zgjatur shumë dhe nga sekreti që është shndërruar në bronkite dhe bronkopneumoni, kështu që këtë periudhë kontrollojmë raste me ftohjet e lehta dhe komplikimet nga gripi”, tha Sonja Cilevska Mlladenovska, mjeke.

Këtë sezon gripi ka qenë më infektues dhe përhapja ka ndodhur për një periudhë shumë të shkurtër. Sipas Mlladenovskas, fëmijët kanë qenë më të prekurit.

“Tek fëmijët, shumë shpesh është karakterizuar me temperatura shumë të larta,… pra ka pasur fëmijë me temperatura të larta deri në 40 gradë që ka zgjatur deri në 5-6 ditë, dhe prindërit vinin në panik pasi temperatura zgjaste shumë. Tek këta pacient ka qenë karakteristike influenca A”, shtoi Sonja Cilevska Mlladenovska, mjeke.

Në fillim të muajit janar kontrollet nga gripi kanë arritur deri në 90, ndërsa tani është ulur deri në 40 kontrolle gjatë orëve të kujdestarive. Megjithatë, mjekët thonë se duhet pasur kujdes edhe në periudhën në vijim, pasi tani vijojnë infeksionet alergjike. /Alsat.mk

The post Gripi stinor vazhdon të shënoj rënie, por komplikimet janë ende të pranishme appeared first on Alsat.