Gazetare: Ajnur Bafqari
Përpara zgjedhjeve lokale terreni u përgatit, rrugët u gërryen, gropat u hapën, por pas përfundimit të zgjedhjeve nuk u lëviz asnjë gurë. Shumë rrugë në komunën e Çairit duken kështu.

Procesi i hapjes së gropave ishte i shpejtë dhe i organizuar, ndërsa mbyllja e tyre duket se ka hyrë në një fazë pritjeje pa afat të qartë. Dy muaj pas zgjedhjeve, qytetarët vazhdojnë të lëvizin mes punimeve të braktisura.

Banorët e Çairit thonë se nuk janë të befasuar që gjithçka ishte vetëm premtim parazgjedhor. Megjithatë u bëjnë thirrje autoriteteve që të ndërmarrin masa dhe t’u mundësojnë rrugë të mirëfillta në afat sa më të shpejtë.

Anketë me qytetar

“Kështu rruga nuk lihet, unë jam e pakënaqur, kjo është katastrofë…. Mirë është me i rregullu, jo vetëm kjo rrugë, por të gjitha rrugët. Çdoherë na kanë thënë gjëra, por asgjë s’kanë bërë, asnjë premtim nuk e kanë realizuar ”

“Problem është, problem është çdo anë ke gropa, gjëra, hajde unë pak më i rritur, por ka edhe fëmijë me trotinete, ka ndodh janë rrëzuar e send është vrarë. Kjo është. Duhet të ndërmarrin por nuk dihet se kur, ata kishin për qëllim vetëm deri sa hynë, më pas i harrojnë të gjitha. Tani duhet t’i lusim ejani rregullojini, non stop, krejt me gropa, siç po e shihni vetë. ”

“ Po diçka u ngadalësuan, u ngadalësuan. Këtu filluan disa ditë dhe më pas ndaluan. Tani ashtu është e dini, pak më ngadalë shkon. Shpresoj dhe ja bëjmë thirrje ajo që ka filluar le të përfundohet, dhe gjithçka që duhet të bëhet dhe ajo që u premtua, të paktën një pjesë të realizohet.”

Por ka edhe qytetarë që megjithatë janë optimist se punimet do të përfundojnë.

“Nuk i kanë lënë rrugët pas dore. Po punojnë. Nuk kanë thënë dy muaj, këtu ka shumë punë, mund të zgjas më shumë por punimet do të bëhen. ”

“Si ka qenë përpara, tani do të bëhet edhe më mirë, më parë ka qenë edhe më keq, nuk kemi pasur as kanale as asgjë. Tani do të bëhen të reja, do të bëhet mirë…”

Nga komuna e Çairit thonë se punimet janë ndërprerë për shkak të kushteve të papërshtatshme klimatike.

“Punimet infrastrukturore në territorin e Komunës së Çairit nuk janë ndërprerë pas zgjedhjeve lokale, por në disa lokacione është vërejtur ngadalësim për shkak të kushteve atmosferike dhe periudhës së dimrit, gjatë së cilës intensiteti i punimeve të ndërtimit zakonisht ulet. Të gjitha projektet kanë afate të përcaktuara për realizim dhe aktualisht jemi brenda dinamikës së planifikuar”, thonë nga Komuna e Çairit.

Për rrugët konkrete në afërsi të shkollës “Imri Elezi” dhe zonave përreth, nga komuna thonë se po realizohen punime më komplekse, që përfshijnë rekonstruksionin e plotë të rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimit./Alsat.mk

The post Gropat e gërryera për më shumë vota në komunën e Çairit, mbetën të hapura appeared first on Alsat.