Nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë se gjatë ditës së djeshme, një 83-vjeçare nga Shkupi ka raportuar në Polici se është mashtruar për 30,000 euro nga një person i cili i është paraqitur si mjek.

“Më 25.06.2025, në orën 18:30, në SPB Shkup, një grua 83-vjeçare ka raportuar se është mashtruar nga një person për shumën prej 30.000 eurosh. Konkretisht, personi i është paraqitur me telefon duke u prezantuar si mjek, dhe i ka thënë se vajza e saj kishte shkaktuar një aksident trafiku dhe se duhej të operohej, por se raportuesja duhej të paguante. Pasi u morën vesh, ajo ia dorëzoi paratë një personi rreth 60 vjeç, ndërsa më vonë kuptoi se ishte mashtruar. Po merren masa për zbardhjen e rastit”, thonë nga MPB.