Më poshtë ju sjellim postimin e plotë të ish anëtarit të kryesisë qendrore të Lëvizjes BESA:
ZËVENDËSOHEMI NGA KUNDËRSHTARËT
Kur u kyçëm në këtë rrugëtim politik, nuk hymë si spektatorë, por si forcë e organizuar dhe e vetëdijshme për peshën që bartnim. Dhe na pritën me krahë hapur, duke na quajtur vlerë të shtuar dhe e pranuan publikisht se aderimet tona në Çair dhe Shkup hapën shtigjet e fitores në Tetovë dhe gjithë Pollogun. Përkrahja jonë ishte një shtytje e fortë për një strukturë që kishte dalë e lodhur nga përçarjet dhe ndarjet e së kaluarës.
Punuam ditë e natë dhe me përkushtim, sinqeritet e devotshmëri, duke vënë në dispozicion kapacitetin tonë intelektual, profesional, shoqëror, patriotik e financiar me të vetmin qëllim që të “rritet” struktura e Lëvizjes BESA.
Sot lind pyetja thelbësore:
A po respektohet realisht kontributi !? A mbrohet fryma e bashkimit, apo rikthehen hijet e vjetra të përçarjes, të ambicieve personale dhe të logjikës së ngushtë klanore !!!
Ne nuk hymë në këtë rrugë për karrige, por për dinjitet politik. Për përfaqësim real, Për standard dhe jo kompromis me mediokritetin.
Nëse dikush mendon se energjia, struktura dhe besimi i njerëzve mund të përdoren vetëm si trampolinë për kalkulime personale, gabon rëndë. Koha e heshtjes ka kaluar.
Mbetemi të palëkundur në parime, të qartë në qëndrime dhe të vendosur në mision: forcimin e faktorit politik shqiptar me dinjitet, seriozitet dhe përgjegjësi.
Ishim pjesë e rritjes së Lëvizjes dhe nuk lejojmë të fshihemi nga faqet e saj.
Dhe po, kam ende shumë për të thënë.
Dhe “ata” e dinë shumë mirë sa peshë kanë faktet dhe sa argumente kam për të shtuar.
Por për sonte po ndalem këtu.
Nëse e kërkon nevoja, vazhdimi nuk do të mungojë.
Hakim Suma
Ish-anëtar i Kryesisë Qendrore të Lëvizjes Besa
Drejtor i Departamentit të Shëndetësisë pranë Lëvizjes Besa
