Mançester Siti mposhti Fulhamin 5-4 në një ndeshje ku ndodhi gjithçka. Erling Haaland shkroi historinë e Premier Ligës. Sulmuesi norvegjez e kishte të qartë se do të thyente një tjetër rekord, e vetmja pikëpyetje ishte se kur. Me golin e parë të Man. Sitit në transfertën ndaj Fulhamit, ai arriti shifrën 100 gola në kampionatin anglez, në një kohë rekord.

Me këtë gol, Haaland arrin 100 gola në vetëm 111 ndeshje. Para tij, rekordin e mbante Alan Shirer që nga viti 1995, i cili kishte nevojë për 124 ndeshje për ta prekur këtë kuotë. Shirer është golashënuesi më i mirë në historinë e Premier Ligës, me gjithsej 260 gola.

Norvegjezi e ka nisur sezonin në mënyrën më të mirë, me 15 gola në 14 ndeshje. Ky nuk është rekordi i parë që thyen që nga mbërritja në “Etihad” më 2022. Tani është pjesë e “klubit 100”, ku bëjnë pjesë gjithsej 35 lojtarë.

“Të shënosh 100 gola në Premier Ligë është diçka për të cilën jam vërtet krenar. Të gjithë e dinë se Premier Ligë është kampionati më i vështirë në botë. Cilësia e skuadrave dhe mbrojtësve është e jashtëzakonshme, arritja e 100 golave në futbollin anglez është shumë speciale për mua”, – tha ai për mediat e Man. Sitit.

The post Haland: Arritja e 100 golave në futbollin anglez është shumë speciale për mua appeared first on Alsat.