Hamas ka deklaruar të premten se është i gatshëm të pranojë disa nga pikat e planit të presidentit amerikan Donald Trump për t’i dhënë fund luftës në Rripin e Gazës, përfshirë lirimin e pengjeve dhe dorëzimin e administrimit të territorit, por theksoi se kërkon negociata për shumë prej termave të tjerë të planit.

Në një deklaratë të bërë publike, Hamasi ka reaguar ndaj planit 20-pikësh të propozuar nga Trump, pasi ky i fundit i kishte dhënë grupit palestinez afat deri të dielën për ta pranuar ose refuzuar propozimin. Sipas “Jerusalem Post”, ndër pikat e pranuara do të ishte edhe lirimi i pengjeve.

Megjithatë, nuk është ende e qartë nëse Trump është i hapur për bisedime mbi termat e planit, siç kërkon Hamas. Në deklaratën e tij, grupi shtoi:
“Në këtë kontekst, lëvizja shpreh gatishmërinë për të hyrë menjëherë, përmes ndërmjetësve, në negociata për të diskutuar detajet.”

Hamasi shtoi gjithashtu se është i gatshëm “të dorëzojë administrimin e Rripit të Gazës një organi palestinez të përbërë nga teknokratë të pavarur, bazuar në konsensusin kombëtar palestinez dhe të mbështetur nga vendet arabe dhe islame.”

Shtëpia e Bardhë nuk ka reaguar ende lidhur me këtë përgjigje të Hamasit.