Hamasi ka thënë të dielën se ka refuzuar kushtet e reja të vendosura nga Izraeli në bisedimet për armëpushim në Gaza, duke vënë më dyshim gjasat për arritjen e një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës, raporton agjencia “Reuters”.
Muaj bisedime kanë dështuar të japin rezultat për t’i dhënë fund luftës në Gaza që nisi më 7 tetor. Lufta filloi pas sulmit të Hamasit në territorin izraelit më 7 tetor. Izraeli si kundërpërgjigje nisi ofensivën në Gaza.
Pika kyçe, ku po stagnojnë negociatat të ndërmjetësuara nga SHBA-ja, Egjipti e Katari, mbetet kërkesa e Izraelit për të pasur prezencë në korridorin Philadelphi, një vijë 14.5 kilometra përgjatë kufirit jugor të Gazës me Egjiptin.
Hamasi tha se Izraeli është tërhequr nga zotimi për t’i larguar trupat nga Korridori dhe ka vendosur kushte të reja, duke përfshirë kontrollin e palestinezëve të zhvendosur ndërsa ata kthehen në veriun e populluar të Gazës kur të nisë armëpushimi.
“Ne nuk do të pranojmë diskutime për tërheqje nga ajo nga çfarë u pajtuam më 2 korrik e as kushte të reja”, ka thënë zyrtari i Hamasit, Osama Hamdan, për televizionin “Al-Aqsa”.
Në korrik, Hamasi pranoi një propozim amerikan për t’i nisur bisedimet për lirimin e pengjeve izraelite, përfshirë ushtarë dhe burra.
Delegacioni i Hamasit është larguar të dielën mbrëma nga Kajro pa një marrëveshje.