Kryetari i ri i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka thënë se nuk ka vija të kuqe për asnjë subjekt politik, kur është pyetur nëse ka vija të kuqe për Lëvizjen Vetëvendosje.
Ai në një adresim për media ka thënë se në zgjedhjet e fundit u pa se ranë të gjitha vijat e kuqe.
“Unë asnjëherë nuk kam vendosur vija të kuqe dhe siç e pamë edhe në këto zgjedhje në balotazh, edhe ata që kanë vënë vija të kuqe, të gjithëve u kanë rënë. Krejt me krejt u bënë bashkë. Mendoj që ne duhet të jemi të përgjegjshëm para interesit të vendit dhe gjithmonë t’i bëjmë veprimet e duhura në dobi të vendit”, ka thënë ai.
Deri në mbajtjen e seancës së Kuvendit për votimin e Qeverisë së re ka kohë më së largu edhe deri të mërkurën.
Asnjëra nga partitë deri tash nuk është deklaruar se do ta votojë Qeverinë Konjufca, derisa të gjitha kanë bërë thirrje që në dhjetor të mbahen zgjedhjet e parakohshme.

