Reagime të ashpra të VMRO-DPMNE-së për deklaratën e ish-presidentit Stevo Pendarovski për pozicionimin e Maqedonisë në raport me administratën e re amerikane dhe politikat globale. Pendarovski, i cili doli për herë të parë në publik pas humbjes së zgjedhjeve në maj të vitit të kaluar, tha se është i shqetësuar për politikat e presidentit të ri amerikan Tramp, por veçanërisht për qëndrimin e qeverisë dhe deklaratat se si normalja e re do ta pushtojnë botën, që sipas tij është amatorizëm i pastër politik.

“Mendoj se si vend i vogël, e dimë kush jemi, ku ndodhemi, duhet të mendojmë dy herë para se të qëndrojmë, siç thonë, ne qëndruam së pari pranë tij dhe tani le të rreshtohen të tjerët pas nesh. Unë nuk do të nxitesha, sepse ne nuk jemi një superfuqi botërore. Nëse më të mëdhenjtë, më të fuqishmit nga grupi G7, Japonia gjithashtu, nëse nuk u rreshtuan krah me krah me Tramp pas zgjedhjeve, por përkundrazi bëjnë kalkulime, matin se cilat janë interesat e tyre reale kombëtare dhe çfarë mund të arrini me një president të tillë të Amerikës për veten dhe për vendin tuaj, nuk mund ta kuptoj se pse ky nxitim”, tha ish presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.

Nga VMRO-DPMNE me kritika ndaj Pendarovskit se në mënyrë të drejtpërdrejt e ofendon Trampin dhe SHBA-të duke treguar se bashkë me LSDM në mënyrë të rrejshme janë prezantuar si properëndimorë.

“Pendarovski, njeri i cili dy herë i ka humbur zgjedhjet presidenciale, pas 10 muajve vendosi të paraqitet në publik dhe ta sulmojë kryeministrin Mickoski dhe VMRO-DPMNE-në për shkak të përkrahjes ndaj SHBA-ve dhe presidentit Tramp. Pendarovski edhe pse premtoi, nuk hoqi dorë nga pensioni i përjetshëm në kurriz të qytetarëve, e sulmon presidentin e partnerit tonë strategjik nr.1. Me arrogancë u jep mend liderëve botërorë, ndërsa nuk e sheh veten. Stevo harxhoje pensionin, mos turpëro veten, mos e shkel pozitën e Maqedonisë dhe shoqërohu me miqtë nga Agjencia e zbulimit derisa mundesh”, u shpreh Aleksandar Nikolloski – nënkryetar i VMRO-DPMNE-së.

Reagimet në opinion sidomos të LSDM erdhën pasi qeveria e Maqedonisë votoi “përmbajtur” për rezolutën për Ukrainën që e përkrahu BE-ja, duke u bërë bashkësponsor i rezolutës së SHBA-ve.