Bashkimi Evropian ka përshëndetur nënshkrimin e Marrëveshjes për ndërtimin e tunelit hekurudhor ndërkufitar të Korridorit 8 ndërmjet Maqedonisë dhe Bullgarisë. Në rrjetin social X, presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Koshta, shkroi se ndërtimi i hekurudhës është një nxitje për zhvillimin rajonal dhe forcimin e sigurisë në rajon. Po ashtu, edhe komisionerja evropiane Marta Kos e përshëndeti nënshkrimin e Marrëveshjes, duke theksuar se ky është një hap i rëndësishëm për ndërtimin e besimit përmes lidhjes rajonale, mirëqenies së përbashkët dhe komunikimit midis njerëzve. Marrëveshja për ndërtimin dhe funksionimin e tunelit hekurudhor të Korridorit 8 u nënshkrua dje në Gjueshevë nga zëvendëskryeministri dhe ministri i transportit Aleksandar Nikolloski dhe zëvendëskryeministri dhe ministri i transportit dhe lidhjeve të Bullgarisë, Grozdan Karaxhov.

