Të hënën u hapën në Yinchuan të provincës Ningxia të Kinës Veriperëndimore Kongresi i 47-të Botëror i Rrushit dhe Verës dhe Asambleja e Përgjithshme e Organizatës Botërore të Rrushit dhe Verës (OIV). Kjo është hera e parë në më shumë se një shekull që ky aktivitet mbahet në Azi, dhe gjithashtu hera e parë që Kina është vend organizator i një veprimtarie shkencore ndërkombëtare të nivelit të lartë në këtë fushë. Në të njëjtën kohë, u zhvillua edhe Panairi i 6-të Ndërkombëtar i Kulturës dhe Turizmit të Verës të Kinës (Ningxia).
Sivjet tema e kongresit është “Krijimi i modeleve të reja globale për industrinë e rrushit dhe verës”, duke tërhequr ekspertë, studiues dhe përfaqësues të industrisë nga shumë vende e rajone të botës. Veprimtaria përfshin seminarin për zhvillimin me cilësi të lartë të industrisë së rrushit dhe verës në Kinë, seksionin e shkencës dhe teknologjisë, si edhe aktivitete vizitash dhe eksperiencash të industrisë. Do të ketë edhe shkëmbime mendimesh mbi çështjet e transformimit dhe përmirësimit të industrisë globale të rrushit dhe verës, inovacionit shkencor e teknologjik dhe zhvillimit të qëndrueshëm, duke nxitur bashkëpunimin teknologjik ndërkombëtar dhe shkëmbimin e përvojave.
Si një nga aktivitetet akademike më të rëndësishme të kongresit të këtij viti, seksioni i shkencës dhe teknologjisë do të mbahet nga pasditja e së hënës deri të mërkurën. Ekspertë dhe studiues nga e gjithë bota do të diskutojnë mbi katër fusha kryesore: kultivimi i rrushit, prodhimi i verës, ekonomia e ligji, si edhe siguria e shëndeti, duke ndarë mbi 400 rezultate teknologjike të përparuara ndërkombëtare e duke shkëmbyer përvojat më të fundit në zhvillimin e industrisë së rrushit dhe verës.
Në të njëjtën periudhë do të mbahet edhe Panairi i 6-të Ndërkombëtar i Kulturës dhe Turizmit të Verës të Kinës (Ningxia), ku do të ekspozohen produktet cilësore të më shumë se 150 prodhuesve të brendshëm të verës dhe do të paraqiten arritjet e reja të industrisë, duke ofruar një platformë për shkëmbimet ndërmjet bizneseve brenda dhe jashtë Kinës. Në të njëjtën kohë, do të publikohen edhe rezultatet kryesore, si Indeksi i Markave të Verës të Kinës, renditjet e rajoneve dhe markave ndërkombëtare të verës, dhe vlera e markës së verës të malit Helan.
