Në lagjen Aerodrom të Shkupit, u pre shiriti për hapjen e Qendrës së trajnimit për zyrtarët administrativë. Ministri i Administratës Publike Goran Minçev tha se zyrtarët administrativ do të marrin njohuritë dhe aftësitë e duhura për të përmbushur rolet e tyre në mënyrë të përgjegjshme.

“Ligji i ri për Zhvillimin Profesional dhe Edukimin e Zyrtarëve Administrativë, i miratuar së fundmi nga Parlamenti, ka forcuar më tej rolin e Ministrisë si një institucion kyç në ndërtimin e një sistemi të qëndrueshëm për mësim dhe zhvillim të zyrtarëve. Qendra që po hapim sot është hapi i parë konkret në zbatimin e këtij ligji. Reformat që po udhëheqim nuk janë kozmetike, por thelbësore. Ne duam një administratë që i njeh nevojat e qytetarëve”, tha Goran Minçev, ministër i Administratës Publike.

Minçev bëri të ditur se edhe qytetarët të cilët do të konkurrojnë për punë, por edhe punonjësit tjerë do të duhet të trajnohen dhe edukohen profesionalisht.

“Ajo është e rregulluar me ligjet e reja, ajo është e rregulluar me ligjin për punonjësit e sektorit publik, ligjin për zyrtarët administrative sipas kritereve të reja për trajnim dhe edukim të qytetarëve të cilët do të konkurrojnë, poashtu edhe kontrolli i njohurive të punonjësve ekzistues, në çdo 6 muaj që do të thotë udhëhiqemi nga teza që mësimi, dituria në thelb është lidhja kryesore për administratë publike profesionale”, pohoi Goran Minçev, ministër i Administratës Publike.

U paralajmërua gjithashtu se Qendra të këtilla për trajnimit do të hapën edhe nëpër vende të tjera të Maqedonisë.