Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka akuzuar kryemninistrin Albin Kurti për “vendime të njënashme dhe të pakoordinuara” me aleatët në ditën kur SHBA-ja ka shprehur zhgënjimin e thellë ndaj Qeverisë së Kosovës lidhur me mbylljen e degëve të Postës së Serbisë në veri të Kosovës.

Përmes një reagimi në Facebook, Haradinaj tha se politikat e kreut të qeverisë “mund të rrezikojnë edhe jetët e pjesëtarëve të NATO-s, është sabotim e përpjekje për zhbërjen e shtetit.”

“Vendimet e njëanshme e të pakoordinuara të Albin Kurtit me aleatët, janë shkatërrimtare për Kosovën. Përpara se Albin Kurti ta “vrasë” dinarin serb në Kosovë, atë e ka vrarë Euro. Politika e tij populiste që mund të rrezikojë edhe jetët e pjesëtarëve të NATO-s, është sabotim e përpjekje për zhbërjen e shtetit.

Ky kryeministër është futur thellë në agjendën e Serbisë e cila për t’i demonizuar shqiptarët i ka vrarë edhe fëmijët e vet në Panda të Pejës. Po dyshoj nëse ky person, si shqiptari i vetëm i liruar nga burgu me dekret të Presidentit serb, Koshtunica, është duke i kryer obligimet që i ka marrë. Por, ia kujtoj atij e gjithë të tjerëve se Kosova ka zot dhe nuk ka qeveri të mund ta kthej mbrapa!”, ka shkruar Haradinaj.

Të hënën janë mbyllur disa degë të Postës së Serbisë në veri nga Policia e Kosovës. Në një reagim, SHBA-ja ka shprehur zhgënjimin e thellë ndaj Qeverisë së Kosovës lidhur me mbylljen e degëve të Postës së Serbisë në veri të Kosovës.

SHBA-ja i ka quajtur këto vendime si të njëanshme dhe të pakoordinuara.

“Qeveria e SHBA-së është thellësisht e zhgënjyer nga veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës kundër filialeve të postës serbe në veri të Kosovës. Veprimet e pakoordinuara të Kosovës vënë qytetarët kosovarë dhe ushtarëat e KFOR-it në rrezik më të madh, përshkallëzojnë në mënyrë të panevojshme tensionet rajonale dhe minojnë reputacionin e Kosovës si partnere e besueshme ndërkombëtare”, thuhet në komunikatën e Ambasadës së SHBA-së në Kosovë.

SHBA-ja i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që t’i ndërpresë veprimet e mëtutjeshme “të njënashme dhe t’i kthehet angazhimit konstruktiv në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për t’i zgjidhur çështjet që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Edhe Bashkimi Evropian e konsideroi mbylljen e nëntë pikave të Postës së Serbisë në veri të Kosovës nga autoritetet kosovare si “veprim i njëanshëm dhe i pakoordinuar”. Kështu ka thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Në një komunikatë për media, Stano ka thënë se ky veprim është shkelje e marrëveshjeve të arritura në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.

“Bashkimi Evropian e konsideron mbylljen e sotme të nëntë degëve të Postës së Serbisë në veri të Kosovës nga autoritetet e Kosovës si veprim i njëanshëm dhe i pakoordinuar, që shkel marrëveshjet e arritura nën dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Si pjesë e marrëveshjeve sa i përket Telekomunikacionet të arritura në vitin 2013 dhe Planit të Veprimit të rënë dakord më 2015, të dyja palët ranë dakord të diskutojnë për shërbimet postare ‘në një fazë të mëvonshme’, duke pranuar kështu që çështja mund të trajtohet brenda kornizës së dialogut”, ka thënë Stano.