Këngëtari i famshëm britanik, Harry Styles tregoi edhe një herë se di si t’i përballojë situatat e papritura me stil dhe sportivitet, edhe kur bëhet fjalë për rrëzim në skenë përpara dhjetëra mijëra spektatorëve.

Teksa po interpretonte këngën “Are You Listening Yet?”, gjatë natës së dytë të rezidencës së tij në GNP Seguros Stadium në Mexico City, artisti rrëshqiti në skenën e lagur nga shiu dhe u rrëzua. Pamjet e publikuara nga fansat në rrjetet sociale tregojnë momentin kur Styles humbet ekuilibrin.

Për disa sekonda stadiumi mbeti në heshtje, por këngëtari e ktheu situatën në një moment argëtues. Ai buzëqeshi, bëri shaka duke pozuar i shtrirë në skenë dhe vazhdoi të këndonte vargjet e radhës, duke treguar se incidenti nuk do ta ndalte performancën.

Pak çaste më vonë, fansat shpërthyen në brohoritje dhe duartrokitje, ndërsa Styles u ngrit në këmbë, u pastrua dhe vazhdoi koncertin sikur të mos kishte ndodhur asgjë.

Moti i keq ndikoi ndjeshëm në zhvillimin e koncertit. Shiu i rrëmbyeshëm dhe breshëri që përfshinë pjesën lindore të Mexico City detyruan organizatorët ta shtynin nisjen e shfaqjes për arsye sigurie. Kushtet atmosferike bënë gjithashtu që këngëtarja britanike Jorja Smith, e cila hap koncertet e Styles në Meksikë, të mos ngjitej në skenë.

Sipas raportimeve, pikërisht reshjet e dendura e lanë skenën shumë të rrëshqitshme, çka besohet të ketë qenë shkaku i rrëzimit të artistit.