Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka thënë se “statusi deri më tani është se çfarëdo marrëveshje do të jetë një marrëveshje e mirë”, referuar marrëdhënies me Iranin. Presidenti Donald Trump deri tash nuk ka dhënë asnjë njoftim nëse është arritur një marrëveshje paqeje me Iranin, pas takimit në “dhomën e krizave” në Shtëpinë e Bardhë. 

Hegseth ka theksuar se  Trump po tregohet i durueshëm që të sigurohet që çfarëdo ujdie paqeje me Iranin të sigurojë që ky i fundit të mos ketë armë bërthamore, raportoi CNN. 

“Bisedova me presidentin Trump këtë mëngjes. Ai donte që unë të ritheksoja se sa i durueshëm është ai në sigurimin që, me Amerikën që ndërmerr këtë përpjekje historike, çdo marrëeshje të jetë e mirë, marrëveshje e shkëlqyer, dhe ai ka durim në arritjen e kësaj”, ka thënë ai. 

Hegseth ka shtuar se nëse Irani nuk do ta bëjë një marrëveshje “të mirë” që siguron se ai nuk do të ketë armë bërthamore, atëherë Irani mund “të përballet me ushtrinë amerikane”.

Ai ka ripërsëritur se një marrëveshje me Iranin “do të jetë një marrëveshje e mirë”. Ndërsa shtoi se forcat amerikane janë të përgatitura të rikthejnë armiqësitë nëse urdhërohet dhe se rezervat e armëve janë të mjaftueshme për ta kryer një gjë të tillë.