Dispozita që parasheh intonimin e himnit në shkolla mund të hiqet nga projekt-ligji për Arsim të mesëm; dhe kjo për ministren e arsimit Vesna Janevska, nuk përbën ndonjë problem të madh.

Projekt-ligji i ri u tërhoq nga Kuvendi, pasi ai nuk u prit mirë as nga partnerët qeverisës VLEN e as nga opozitarja Fronti Europian. Janevska tha se ende po punohet mbi disa nene, dhe se propozim-ligji do të jetë gati brenda 20-25 janarit, pas çka do të ridërgohet në Kuvend. Blerim Bexheti nga Fronti Europian , i pyetur se çfarë do të bënin nëse ligji rikthehet me dispozitën për himnin, tha se mbeten në të njëjtin qëndrim.

Ministrja Janevska sot tregoi se për momentin nuk ka ndonjë komunikim me Frontin Euripian rreth kësaj çështjeje, por ka pasur më herët kur ka qenë e pranishme në Kuvend. Konfirmon se për propozim-tekstin e ri që do të ridërgohet për miratim janë në komunikim me partnerët qeverisës VLEN.